Piramida do të shndërrohet shumë shpejt në një tjetër kartolinë të bukur të Tiranës. Pas projektit të suksesshëm për transformimin e Pazarit të Ri, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe dy bashkëdrejtuesit e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF), Martin Mata dhe Aleksandër Sarapuli, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për kthimin e Piramidës në qendrën më të madhe multifunksionale për të rinjtë, e fokusuar kryesisht në arsimimin digjital, por dhe të artit e kulturës.

 “Hedhim hapin e parë zyrtar për formalizimin e një marrëveshje midis Bashkisë Tiranës dhe AADF për të transformuar Piramidën e Tiranës, ndërtesën më ikonike të qytetit tonë, në qendrën më të madhe për të rinjtë, kryesisht e fokusuar në arsimimin digjital, në kulturën e teknologjisë së informacionit dhe në funksion të artit, kulturës dhe kurseve profesionale apo hapësirave të tjera rinore”, theksoi Veliaj.

 Piramida do të shërbejë si një lloj inkubatori për bizneset në fushën e inovacionit, artit dhe kulturës. Veliaj sqaroi se projekti është i ndarë në dy faza: së pari, nis puna për rehabilitimin e godinës dhe së dyti, mirëmenaxhimi i saj, duke qenë se do të mirëpresë deri në 5 mijë të rinj në ditë. “Vendosja e kësaj ndërtese në shërbim të të rinjve të Tiranës do të ketë një efekt transformues për qytetin tonë. Për këtë projekt janë bashkuar më të mirët e pushtetit vendor, me më të mirët nga bota e filantropisë edhe projekteve të guximshme, si AADF”, tha ai.

 Bashkëdrejtuesi i AADF, Martin Mata, u shpreh entuziast për bashkëpunimin e radhës me Bashkinë e Tiranës dhe e falenderoi kryebashkiakun Veliaj për realizimin e këtyre projekteve. “Jemi duke kërkuar shumë për të gjetur modele në fushën e arsimit, të qëndrueshme dhe moderne, të cilat bota i ka provuar. Një ndër këto është projekti “TUMO”, të cilin e kemi parë në disa vende, kemi folur me ta dhe për kënaqësinë tonë të madhe, jo vetëm që kanë pranuar të vijnë, por kanë pranuar edhe ta menaxhojnë në vitet e para, padiskutim nën kujdesin tonë të përbashkët, financimin tonë të përbashkët. Të falenderojmë shumë ty edhe bashkinë, për një lloj ‘agresiviteti’ dhe një lloj precizioni në suksesin e projekteve të përbashkëta”, u shpreh Mata.

Ndërkaq, z. Sarapuli tha: “Shpresojmë dhe kemi si objektiv që rinisë dhe nxënësve në Tiranë t’u japim një shpresë të re drejt njohurive të reja që kërkon shekulli”.

Aktualisht, Bashkia e Tiranës është duke biseduar me disa nga studiot më të mira të arkitektëve dhe brenda Majit do të bëhet edhe prezantimi publik i asaj që do të ndodhë me Piramidën. “Nëse vazhdojmë dhe punojmë të fokusuar te puna dhe jo te fjalët, besoj se pjesën e infrastrukturës do ta mbarojmë shpejt, për të nisur më pas me një punë më afatgjatë, atë të mësimdhënies dhe një kulture digjitale për të rinjtë e Tiranës”, shtoi Veliaj.

Kryebashkiaku e cilësoi këtë projekt fantastik, i cili ka rezultuar transformues edhe në shtete të tjera. “Më vjen mirë që në këtë projekt jemi bashkë edhe me qytete të tjera të Evropës, si Parisi, apo qytete me më shumë burime financiare se sa ne, si Abu Dhabi apo Dubai. Krenohemi që qyteti ynë është qyteti më i ri sot në Shqipëri, e kësisoj edhe qyteti më i ri në Evropë, me moshën mesatare 28 vjeç. Është mëkat të mos e shfrytëzojmë këtë hapësirë, e cila është sfidë, por edhe mundësi që të investohemi te rinia dhe sidomos te aftësimi digjital i të rinjve”, u shpreh Veliaj.

 Rreth 5 mijë të rinjtë që do të frekuentojnë mjediset e transformuara të Piramidës do të kenë mundësi të ndjekin kurse të ndryshme në fushën e IT dhe të komunikacionit, sikurse është dizajni, programimi etj.

Pas Pazarit të Ri, Bashkia e Tiranës dhe AADF marrëveshje për transformimin e Piramidës

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

five × 5 =

Krijimi dhe mirëmbajtja e këtij website mundësohet nga DTIK